Një mësues i gjuhës angleze në një shkollë private 9-vjeçare në Tiranë është shkarkuar nga detyra, pasi u konstatua se gjatë orëve të mësimit ka promovuar besimin fetar të Jehovait, duke zhvilluar diskutime me përmbajtje fetare dhe duke u dhënë nxënësve detyra që lidhen me doktrina religjioze.
Rasti ka ngjallur shqetësim tek prindërit e nxënësve të klasës së katërt, të cilët kanë denoncuar se mësuesi ka folur për dashurinë hyjnore, urdhërimet e Perëndisë dhe fundin e botës, duke e kthyer orën e anglishtes në leksione me natyrë fetare. Sipas dëshmive, nxënësit ndiheshin të detyruar të merrnin pjesë në këto diskutime.
Një nxënës ka treguar se mësuesi kishte përkushtim t’i mësonte rreth Zotit, ndërsa prindërit janë shprehur të tronditur nga një qasje e tillë, duke e konsideruar si një shkelje të rëndë në një institucion arsimor laik dhe me ndikim të papranueshëm mbi fëmijët.
Disa prindër kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar më herët për këto aktivitete, ndërsa të tjerë kanë theksuar se, pavarësisht rezultateve të mira akademike të fëmijëve të tyre ndër vite, përzierja e fesë me arsimin është e papranueshme.
Pas shqyrtimit të rastit nga strukturat përkatëse dhe komisionet disiplinore, është vendosur përjashtimi i mësuesit nga puna, për shkelje të rregullores që garanton arsimimin laik dhe neutralitetin në mjedisin shkollor.
Më poshtë, njoftimi i plotë i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Tiranë dhe i institucionit arsimor mbi rastin e mësuesit të gjuhës angleze
“Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës private 9-vjeçare ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.
Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit D. Z. janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht:
Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës (shkresa nr. 29 prot.), i cili u mblodh në të njëjtën datë.
Me shkresën nr. 30 prot., Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës.
Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna”.
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.
Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.
Që prej datës 03.02.2026, D.Z. nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën private 9-vjeçare.
Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse.










