Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme, pa kryetarin e saj, ka diskutuar miratimin e buxhetit për vitin fiskal 2026, ku drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të partive politike paraqitën qëndrimet e tyre për ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit.
Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, ka prezantuar strukturën e buxhetit dhe ka kërkuar aprovimin e tij në tërësi, ndërsa LDK dhe PDK kanë shprehur mbështetje me theks në stabilitet dhe zhvillim, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta votojë këtë buxhet, duke e cilësuar të papranueshëm dhe problematik në disa aspekte.
“I gjithë buxheti është i ndarë në 5 kategori ekonomike. Kategoria e pagave dhe mëditjeve për vitin fiskal 2026 janë 48.3 milionë euro për këtë kategori. Kategoria e mallrave dhe shërbimeve kap vlerën prej 32 milionë. Shpenzimet e komunale 3 milionë e gjysmë. Subvencionet dhe transferet 6.8 milionë. Investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë. Ky buxhet është i përcaktuar në vizion e transformimit të kryeqytetit. Këto projekte janë të ndara në secilën kategori dhe janë bazuar edhe në dëgjime buxhetore. Buxheti i investimeve kapitale është i bazuar në projekte të mëdha kapitale për secilën kategori. Përveç investimeve të mëdha janë edhe shpenzimet operative të cilat direkt janë të përfshira në jetën e qytetarëve. Kërkoj aprovimin e këtij buxheti në tërësi”, tha ajo.
Në emër të LDK-së, Jeta Rafuna ka deklaruar se partia e saj do ta mbështesë buxhetin, pasi sipas saj ai adreson nevojat e qytetarëve dhe nuk përbën vetëm një dokument financiar operacional, por një instrument zhvillimi për përmirësimin e jetës së përditshme dhe forcimin e kapaciteteve të kryeqytetit.
“Në emër të LDK-së ne e përkrahim buxhetin sepse ai adreson nevojat e qytetarëve. Buxheti nuk është vetëm buxhet shifrash operative, por është një instrument zhvillimi që synon përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe forcimin e kapaciteteve të kryeqytetit”,
Ndërkohë, Leutrim Retkoceri nga PDK ka theksuar se buxheti vjen në rrethana të vështira për shkak të sfidave të vitit 2025 dhe se grupi i asamblistëve të kësaj partie është i përkushtuar të kontribuojë në zhbllokimin e çdo situate që mund të rrezikojë funksionimin normal të komunës.
“Ky buxhet vjen në rrethana të vështira si pasojë e sfidave të vitit 2025. Grupi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës është i përkushtuar të kontribuojë në zhbllokimin e çfarëdo situate që mund të rrezikojë miratimin e buxhetit dhe funksionimin normal të kryeqytetit”, tha ai.
Nga ana tjetër, Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se subjekti i tij politik nuk do ta votojë buxhetin, duke vlerësuar se Prishtina po ngec dhe se rritja e buxhetit po paraqitet gabimisht si sukses qeverisës komunal.
Ai kritikoi PDK-në që sipas tij është duke e përkrahur këtë buxhet, ai tha se ky buxhet më shumë i shërben PDK-së se sa vetë LDK-së.
Ky buxhet u tha se do të përkrahet edhe nga partia Lidhja e Prishtinës dhe Nisma.









