AUV ndalon një produkt qumështi për bebet në Kosovë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se ka bllokuar produktin për foshnje “Beba Supreme” 800 gramësh.

AUV thotë se bazuar në njoftimin zyrtar të pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Republikën e Kosovës produkt ushqimor për foshnja BEBA SUPREM PRE, 800 gram, me datë skadimi 05.2027 dhe kod identifikues EAN: 7613287226631, importuar nga kompania Rossmann Kosova.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është bërë bllokimi i menjëhershëm i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, përfshirë mungesën e inspektorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm”, thuhet në njoftimin e  tyre në Facebook.