UNMIK-u nuk i përgjigjet pyetjes së Unionit të Gazetarëve të Serbisë përse në buletin ka hequr rubrikën me raportime nga mediat serbe, ankohet ky Union.
Siç pretendohet, UNMIK-u në buletinin ditor në gjuhën angleze, që nga 28 nëntori i vitit të kaluar, ka ndaluar publikimin e teksteve të mediave serbe, duke transmetuar që atëherë kryesisht raportime nga mediat në gjuhën shqipe, transmeton Paparaci.
“Prej dhjetë ditësh UNMIK-u nuk i përgjigjet UGS në Kosovë se përse është marrë një vendim i tillë. Kujtojmë se në buletinin e UNMIK-ut, i cili që nga fillimi i punës së kësaj misioni ndërkombëtar në Kosovë përgatitet nga Departamenti për Media, përmbajtjet e mediave serbe dhe shqiptare, të përkthyera në gjuhën angleze, publikoheshin si rubrika të veçanta dy herë në ditë”, thuhet në kumtesë.
Ata shtojnë se UGS në Kosovë, në një letër dërguar UNMIK-ut, ka kërkuar sqarim për këtë vendim dhe ka theksuar se në këtë mënyrë është cenuar ekuilibri i ndjeshëm i ndërtuar gjatë dekadave të mëparshme. UGS në letër ka theksuar gjithashtu se me këtë veprim UNMIK-u ka rrezikuar raportimin e paanshëm.
Më herët, UGS në një njoftim kishte protestuar kundër këtij vendimi dhe kishte kërkuar nga Misioni që në buletin të rikthehej rubrika me informacionet nga mediat serbe./Paparaci.com










