Komisioni Shtetëror kundër Dhunës, Racizmit, Ksenofobisë dhe Intolerancës në Sport ka propozuar gjobë prej 5.000 eurosh dhe ndalim hyrjeje në ambiente sportive për një vit për tifozin e akuzuar se hodhi banane ndaj Vinicius Junior, gjatë ndeshjes së 1/8-ve të Kupës së Mbretit mes Albacete dhe Real Madrid, të luajtur më 14 janar në stadiumin “Carlos Belmonte”.
Sipas dosjes së Policisë Kombëtare, kamerat e sigurisë e kapën qartë hedhjen e objektit nga tribuna në momentin e festimit të golit të fundit të ekipit vendas. Ngjarja cilësohet si shkelje e rëndë sipas Ligjit 19/2007 dhe përfshin edhe ndalim 12-mujor nga stadiumet.
Komisioni propozoi gjithashtu një gjobë prej 50.000 eurosh për organizatorët, për tejkalim kapaciteti dhe bllokim të rrugëve të evakuimit ndaj Barcelona, si dhe sanksione për 51 tifozë të Sevilla dhe Real Betis pas incidenteve në derbin e 30 nëntorit, me gjoba deri në 5.000 euro dhe ndalim njëvjeçar nga stadiumet.
U kërkua edhe një gjobë 1.500 euro dhe ndalim 3-mujor për fyerje ndaj Yuri Berchiche në Vigo, ndërsa ndeshja Real Racing–Burgos (22 shkurt) u shpall me rrezik të lartë. Vendimet janë pjesë e politikës së Ministrisë së Brendshme kundër dhunës dhe racizmit në stadiume.
The post Gjobë 5.000 euro dhe një vit larg stadiumeve për hedhjen e bananes ndaj Vinicius appeared first on Telesport.










