Darkën e fundit nuk e hëngrën, zbulohen emrat e familjes shqiptare në Itali

Zbardhen emrat e familjes shqiptare që u shuan tragjikisht mbrëmë në Itali, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një rrjedhje gazi monoksid karboni. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për babanë, Arti Kola, 48 vjeç, nëna, Jonida, 43 vjeçe; djali i tyre, Hajdar, 22 vjeç dhe vajza, Xhesika, më e vogla e familjes, 15 vjeçe.

Tragjedia ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Porcari, një komunë në fushën e Luccës.

Corriere raporton se sipas autoriteteve, ishte pikërisht vëllai i kryefamiljarit ai që ngriti alarmin, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave. Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai dhe dy oficerë të karabinierëve hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë. Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.