VV-ja me stilin e vjetër, kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Rashiqin

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku u kontestua zgjedhja e Nënkryetarit të Kuvendit, Nenad Rashiq.

Sipas VV-së, vendimi tregon një mungesë të thellë koherence dhe përbën një abuzim të drejtës (abus de droit).

Në një reagim zyrtar, VV-ja thekson se vendimi bie ndesh me jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese.

Në aktgjykimin KO265/25, paragrafi 129, Gjykata kishte konstatuar qartë se moslejimi i propozimit të të njëjtit kandidat më shumë se tre herë vlejë edhe për nënkryetarët. Tani, për të njëjtën çështje, Gjykata ka ndryshuar qëndrimin pa asnjë ndryshim normativ apo faktik, duke cenuar parimin e sigurisë juridike, një element kyç i shtetit demokratik.

VV-ja nënvizon se një gjykatë kushtetuese nuk mund të krijojë norma të reja apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh.

Sipas Lëvizjes, vendimi aktual shndërrohet në një pushtet paralel, duke kaluar përtej mandatit kushtetues dhe duke krijuar precedent për kapjen e institucioneve për interesa të një subjekti politik, në këtë rast Listës Serbe.

Reagimi gjithashtu përmend bllokimin e ligjeve me interes strategjik për vendin, duke filluar nga Ligji për çmimet tavan për produktet bazë deri te Ligji për Fondin Sovran të Kosovës, që sipas VV-së po shkaktojnë dëme të mëdha për qytetarët.

Lëvizja Vetëvendosje thekson se Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb: ai zgjidhet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb me shumicën e votave të Kuvendit, pa asnjë kriter shtesë që mund të favorizojë një subjekt politik të caktuar.