Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj kompanisë “Luani Transport” dhe pronarit të saj, Shpëtim Kelmendi, për shkak të veprës penale, “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Kelmendi akuzohet se në cilësinë e pronarit të kompanisë nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për siguri dhe shëndet në punë, për shkak i së cilës mbeti i vdekur S.R.
Prokuroria thekson se, megjithëse viktima S.R., tani i ndjerë, kishte detyrë vetëm pastrimin, ai ka humbur jetën në vendin e punës si pasojë e kontaktit me gjeneratorin.
Po ashtu, aktakuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, e cila sipas Prokurorisë, nga pakujdesia dhe mosrespektimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat dhe rregullat teknike për masat e sigurisë në vendin e punës.
“Si pasojë e mosplotësimit të kushteve të punës sipas ligjit dhe në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 1 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ka humbur jetën punëtori S.R”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që, përveç dënimit për veprën penale, të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, konkretisht ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së separacionit.
“Kjo për faktin se i pandehuri ka ushtruar veprimtarinë pa licencë dhe pa asnjë kriter të sigurisë në vendin e punës”, thuhet më tej në aktakuzë.
Rasti tashmë pritet të trajtohet nga gjykata kompetente.










