Manipulim i votave, 30 komisionerë nga Juniku dhe Deçani në fokus të hetimeve

Hetimet për dyshimet për manipulim të votave janë zgjeruar edhe në Pejë, ndërsa autoritetet po ndërmarrin veprime konkrete hetimore.

Siç raportohet në media, gjatë ditës së sotme rreth 30 persona do të procedohen për intervistim në kuadër të këtyre hetimeve.

Sipas burimeve, personat që do të intervistohen janë kryesisht komisionerë të vendvotimeve nga komunat e Junikut dhe Deçanit.

Intervistimet po zhvillohen në koordinim me institucionet përkatëse të rendit dhe drejtësisë, ndërsa rasti lidhet me dyshime për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Zyrtarisht, autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me natyrën e dyshimeve apo numrin e përgjithshëm të personave që mund të përfshihen në këtë proces, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.