Anëtari i LDK-së flet për zgjedhje të reja në prill: Vetëm ato e ndalin Albin Kurtin

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Bajram Gecaj beson se autonomia për veriun e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, është e paevitueshme.

Për këtë shkak, ai thotë se Kurti duhet të hiqet nga pushteti dhe se zgjedhjet e mundshme në muajin prill të këtij viti janë e vetmja rrugë për të arritur këtë qëllim.

Sipas Gecajt, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të vendit.

“Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut”, ka shkruar Gecaj në një postim në Facebook të mërkurën.

Tutje, ai ka thënë se “vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.”

Postimi i plotë:

AUTONOMI E SIGURT PËR VERIUN …

Qeveria Mustafa trashëgoi Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar nga ish Kryeministri Thaçi në vitin 2013. Megjithatë, ajo marrëveshje u zbut maksimalisht, brenda kufijve të së mundshmes, me marrëveshjen e vitit 2015. Në atë proces u vendosën filtra të fuqishëm mbrojtës për Kosovën: letra e Përfaqësueses së Lartë Mogherini, kontrolli i Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesa eksplicite që çdo zbatim të bëhej në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, ne ishim të bindur se marrëveshja e riformuluar nuk e dëmtonte shtetin, dhe ishim të gatshëm të fillonim zbatimin. Por pala serbe ishte ajo që e refuzonte, sepse nuk u konvenonte.

Kjo ndodhi sepse në ekip kishte profesionistë të vërtetë, njerëz që nuk mashtroheshin lehtë dhe që kishin përvojë të gjatë në ligj, diplomaci dhe dialog ndërkombëtar.

Profesori Enver Hasani, eksperti më i shquar kushtetues që ka Kosova, paralajmëron qartë: “Marrëveshja e Ohrit me planin e zbatimit do të prodhojë një rend paralel kushtetues. Ne i themi ‘Kushtetutë materiale’, e cila rregullon materien kushtetuese njësoj si Kushtetuta Formale e votuar në Kuvend, por pa ndjekur procedurat kushtetuese.”

Ky është thelbi i rrezikut.

Pse po ndodh kjo? Sepse populistët joprofesionistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë besuar se mund ta mashtrojnë komunitetin ndërkombëtar, ashtu siç e mashtruan elektoratin e vet, duke e lënë kështu Kosovën pa mburojë e me “kopil te dera.”

Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut.

Edhe Lulzim Peci, tashmë një analist i dëshmuar ndër vite, ka plotësisht të drejtë kur thotë se “Marrëveshja e Brukselit, deshëm apo nuk deshëm ne ta pranojmë, aty është një pikë që kryeministri ynë e ka pranuar: vetëqeverisja e komunitetit serb në Kosovë.”

Ironia është tronditëse. Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj dikur e “kallën” Kosovën për një marrëveshje që nuk do ta dëmtonte as për një milimetër rendin kushtetues dhe integritetin territorial të shtetit.

Ndërsa sot? Çfarë kemi bërë ne për të kundërshtuar një marrëveshje që e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të Kosovës?

Asgjë. Heshtje. Dorëzim. Dhe rrezik historik.

Vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.