“Gjyqësori i Kurtit, i udhëzuar politikisht, vazhdon me dënime drakoniane kundër serbëve nga Kosova, duke i shpallur fajtorë pa prova valide, pa dëshmitarë objektivë dhe në procese të shoqëruara nga shkelje të shumta të të drejtave të akuzuarve”, pretendohet në këtë zyre të instaluar për propagandë kundër Kosovës.
Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor Sërgjan Llazoviqin nga Leposaviqi për veprën penale krime lufte dhe e dënoi me 12 vjet e gjashtë muaj burg.
Sipas arsyetimit të aktgjykimit, gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Panorcë, komuna e Malishevës, ai ka marrë pjesë, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake dhe policore serbe, në arrestimin, keqtrajtimin dhe dëbimin e civilëve shqiptarë.
Duke iu referuar vendimit të gjykatës, nga e ashtuquajtura “zyre serbe për Kosovën” u tha se aktgjykimi është marrë mbi bazën e “dëshmive të rreme dhe të pabesueshme” dhe se gjyqësori kosovar vazhdon me “dënime drakoniane kundër serbëve nga Kosova”, transmeton Paparaci.
“Rast i tillë është edhe aktgjykimi i sotëm i shkallës së parë kundër Sërgjan Llazoviqit nga Leposaviqi, të cilin “e ashtuquajtura gjykatë në Prishtinë” e dënoi me dymbëdhjetë vjet e gjysmë burg për krime “të supozuara” lufte, mbi bazën e dëshmive të rreme, të pabesueshme, jokonsistente dhe të sajuara të dëshmitarëve të supozuar okularë”, pretendohet në propagandën e kësaj zyre.
Llazoviqi, sipas tyre, në kohën e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet “nuk ka qenë pjesë e forcave policore”, por, siç thonë, “ka qenë i angazhuar në prerjen e pyjeve”.
Ata po ashtu pretendojnë se gjatë gjykimit është konstatuar se, “në bazë të të gjitha karakteristikave morfologjike të përmendura nga ekspertët”, personi për të cilin pretendohet se është Llazoviqi “në fakt nuk është ai”.
“Kjo flet për natyrën e këtij procesi, në të cilin gjyqësori i Kurtit dënon dhe gjykon sipas çelësit etnik dhe politik, ndërsa serbët janë fajtorë vetëm sepse mbajnë emër dhe mbiemër serb dhe përshtaten në narrativin e rremë politik të Kurtit. Avokatët e Llazoviqit do të paraqesin patjetër ankesë ndaj këtij aktgjykimi drakonian dhe të turpshëm politik, ndërsa zyra për Kosovën do të njoftojë misionet ndërkombëtare relevante, me qëllim që Llazoviqit t’i mundësohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm, gjatë të cilit do të dëshmonte pafajësinë e tij”, përfundon kumtesa me demagogji tashmë të njohur të tyre.
Kujtojmë se Sërgjan Llazoviqi u arrestua më 27 qershor 2024, kur po kthehej nga Rashka në Leposaviq.
Ky është aktgjykimi i dytë për krime lufte në vitin 2026. Ditë më parë, Muhamet Alidemaj u dënua me 13 vjet burg./Paparaci.com










