Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar statistikat e komunikacionit për muajin janar 2026, duke raportuar gjithsej 149 aksidente rrugore në rajonin që përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit.
Sipas komunikatës për media, nga këto aksidente, 63 kanë qenë me lëndime, ku janë lënduar 106 persona, ndërsa 86 aksidente kanë rezultuar vetëm me dëme materiale.
Në krahasim, gjatë muajit janar të vitit 2025 ishin raportuar gjithsej 182 aksidente, përfshirë një aksident me fatalitet ku kishte humbur jetën një person, 70 aksidente me lëndime me 111 persona të lënduar dhe 111 aksidente me dëme materiale. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar rënie prej 18.1 për qind.
Në aspektin e masave ndëshkuese, Policia Rajonale e Ferizajt bën të ditur se gjatë janarit 2026 janë shqiptuar gjithsej 6,914 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik. Po ashtu, masë mbrojtëse e heqjes së patentë-shoferit u është shqiptuar 110 shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
Në janar të vitit 2025 ishin shqiptuar 4,758 gjoba, çka paraqet një rritje prej 45.3 për qind të numrit të gjobave gjatë këtij viti.
Policia Rajonale e Ferizajt ka theksuar se do të vazhdojë me angazhime dhe aktivitete të shtuara me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në komunikacionin rrugor. Njëkohësisht, u bëhet thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar në trafik dhe të respektojnë shenjat dhe rregullat e qarkullimit.
Policia fton gjithashtu qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo kundërvajtje në komunikacion përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.










