Oliver Ivanoviqi u vra në një kohë kur ishte nën masa të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), ka thënë nipi i tij dhe politikani opozitar serb, Aleksandar Ivanoviq.
Ai gjithashtu ka parashtruar pyetjen se si është e mundur që BIA, e cila në atë kohë e ndiqte, të mos ketë dijeni se në të njëjtën kohë dikush tjetër po e ndiqte Olliver Ivanoviqin dhe po përgatiste logjistikën për kryerjen e vrasjes së tij.
“Nëse e ka vrarë ndonjë shqiptar, kinez, japonez, francez, italian, le të shohim çfarë keni bërë ju për ta mbrojtur atë. Ku janë kamerat, dhjetëra dhe qindra kamera që i kontrollon BIA? Ku janë ato incizime?”, pyeti Ivanoviqi, duke shtuar se Olliver Ivanoviqi ishte nën masa të BIA-s, përkatësisht të zyrës së kësaj agjencie në Kraljevë, e cila është përgjegjëse për rajonin e Novi Pazarit, por edhe për veriun e Kosovës, transmeton Paparaci.
“Ai ndiqej, ai ishte nën masa. Në të njëjtat masa në të cilat ishte edhe avokati Misha Ognjanoviq. Si është e mundur që BIA, e cila të ndjek, të incizon, i regjistron të gjitha këto, të mos ketë dijeni se në të njëjtën kohë dikush tjetër po të ndjek dhe po përgatit logjistikën për vrasjen tënde? Dhe pastaj ata tërhiqen, zhduken dhe askush nga kjo anë nuk di asgjë. Vetëm dimë se “është shqiptar”. Shumë paqartësi dhe shumë gjëra e rrethana tepër të çuditshme në gjithçka që kemi përjetuar gjatë tetë vjetëve të kësaj heshtjeje të tmerrshme të shtetit, i cili në këtë mënyrë në thelb vetëm dëshiron ta mbulojë atë rast”, ka shtuar ai.
Ai u ndal edhe te rasti kur ish-drejtori i BIA-s, Bratisllav Gashiq, në Kuvendin e Serbisë kishte paraqitur pretendime se vrasësi i Oliver Ivanoviqit fshihet në Gjermani. Gashiqi ishte ulur përballë një dosjeje me titullin “Olliver Ivanoviq”. Autoritetet gjermane i demantuan deklaratat e Gashiqit.
“Vetëm disa ditë më pas, jo vetëm ai, por edhe presidenti i shtetit, duke e kuptuar sa dëm u shkaktojnë me deklarata të tilla jo vetëm familjes Ivanoviq, shtetit të Serbisë, qytetarëve të Serbisë, por edhe vetë atyre personalisht, thanë: “Epo, e dini, nuk e kemi menduar ashtu”. Sikur të ishte një stand-up komedi e shëmtuar dhe e dështuar, tipike për ta, pa asnjë përgjegjësi, dhe historia përfundon aty. Ja pra, e dimë, tani vrasësit janë atje, e nesër themi: “Po bëjmë shaka, ndoshta nuk janë atje, ndoshta janë diku tjetër”. Është skandaloze në çfarë sistemi jetojmë në të vërtetë”, ka deklaruar Ivanoviqi.
Ai ka përkujtuar se Olliver Ivanoviqi, para vrasjes, kishte qenë në BIA, sepse siguria e tij ishte e rrezikuar, por edhe se deri më sot nuk ka marrë përgjigje se çfarë ka thënë Olliver Ivanoviqi gjatë atij takimi, kush e ka pritur dhe çfarë ka bërë BIA në përputhje me atë që Ivanoviqi ka deklaruar.
“Në gusht të vitit 2024 më është thënë: “Do të merrni informacion”, pretendon Aleksandar Ivanoviqi, duke shtuar se më pas është takuar me shefin e kabinetit të drejtorit aktual të BIA-s, Vlladimir Orlliq, por se përgjigje nuk ka marrë.
“Ata e injorojnë këtë. Do të thotë, unë e përsëris, ata e injorojnë… Nga gjithçka përpiqen të bëjnë një shfaqje”, ka shtuar Aleksandar Ivanoviqi./Paparaci.com










