“Më dërgo foto me kualitet të mirë” – Shqiptarët në dosjen e famëkeqit Epstein

“Të lutem më dërgo tri foto me kualitet të mirë dhe rezymenë” – Kështu i shkruante Jeffey Epstein vajzës nga Tirana. Egerta Terziu.

Kjo është zbuluar pas publikimit të tre milionë materialeve nga dosja e trashë e Epstein, të dënuarit për pedofili dhe po hetohej për trafikim seksual të të miturave.

Sipas hetimeve, ai rekrutonte vajza të mitura dhe i shfrytëzonte seksualisht.

Në materialet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, dalin emra shqiptarësh.

Fillimisht janë publikuar komunikimet e vajzës nga Tirana, e cila po aplikonte për pozitën e asistentes personale.

Emaili është dërguar në marsin e vitit 2017, ku ajo shprehte interes për punën dhe e pyeste Epsteinin nëse do të ishte problem që ajo nuk jetonte në SHBA.

Në komunikimin e mëvonshëm thuhet se vajza ishte 21–22 vjeç, jetonte në Paris, ndërkohë që në CV rezultonte se ndodhej në Tiranë.

Përveç CV-së dhe fotove, në listën e bashkëngjitjeve rezulton se ajo ka dërguar edhe një video aplikimi.

Emra të tjerësh të politikanëve në dosjen Epstein u përmendën nga një konsulle nderi e Kosovës në Tajlandë.

Emri i ish-ministrit të Jashtëm dhe biznesmenit, Behgjet Pacolli kishte filluar të qarkullonte në emailat e Epstein në vitin 2012.

Princesha e Tajlandës, Mom Luan Raxhadarasri që më vonë ishte angazhuar nga Pacolli si konsulle nderi e Kosovës në Tajlandë, nëpërmjet një personi, i kishte kërkuar Epstein që të shikonte linkun në YouTube se kush ishte Behgjet Pacolli.

Princesha në komunikimet e vitit 2012 kishte përmendur edhe presidentin e Kosovës, periudhë që përkonte me mandatin e Atifete Jahjagës. Kjo princeshë njihet si përkrahëse e madhe e presidentit rus, Vladimir Putin.

Sipas materialeve të bëra publike, bëhet fjalë për një email të dërguar nga një person i identifikuar vetëm si “Daniel”, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Në mesazh përmendet një takim i mundshëm në New York, në kuadër të aktiviteteve të Kombeve të Bashkuara.

Në email thuhet se një princeshë nga Tajlanda do të ndodhej në New York së bashku me presidenten e Kosovës dhe shprehej interes për një takim, nëse koha do ta lejonte.

Atifete Jahjaga i ka mohuar raportimet për lidhjen e saj me dosjen “Epstein”, duke thënë se ajo nuk ka pasur asnjëherë njohje apo takim të cfarëdo lloj kontaktit me Jeffery Epstein.

Ajo thotë se në email për të cilën raportohet kur përmendet presidentit i Kosovës, nuk është e qartë se cili dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.