Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në përvjetorin e masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, ka kujtuar me dhimbje dhe respekt një nga plagët më të rënda të pasluftës.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Osmani ka shkruar se: “Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 mijë e 564 familje me gjithsej 11 mijë e 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”.
Ajo tha se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti.
“Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, ka shkruar Osmani.









