Avokati Emrush Kastrati ka mohuar kategorikisht pretendimet se gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë kanë aplikuar për pozita në Kuvendin e Serbisë, duke reaguar ndaj deklaratës së Besim Kelmendit, ish-ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në reagimin e tij, Kastrati ka sqaruar se pohimi se aplikimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë në institucionet serbe kanë qenë masive nuk është i vërtetë.
Ai thekson se as ai personalisht dhe as kolegët e tij nuk kanë aplikuar kurrë për pozita të tilla.
Sipas Kastratit, e vërteta është se gjyqtarët dhe stafi administrativ shqiptar nuk kanë qëndruar në sistem me vullnetin e tyre, por janë shkarkuar nga Kuvendi i Serbisë në nëntor të vitit 1990.
“RASTI i Besim Kelmendit, ish U.D i Kryeprokurorit të Shtetit. Në emisioni e Betimit për Drejtësi i publikuar në KTV me dt.31.01.2025 z. Kelmendi për veç tjerash e deklaroj një të PA VËRTETË se kinse të gjithë kanë aplikuar për pozitën e Prokurorit apo Gjyqtarit në konkursin e Kuvendit të Serbisë. Për hir të opinionit publik dhe të vërtetës e demantoj fuqishëm një të pavërtet të tillë, sepse nuk është e vërtet fare nga se personalisht me kolegët e mi nuk kemi aplikuar kurr për pozitën e gjyqtarit në Kuvendin e Serbisë, e vërteta është se jemi SHKARKUAR po nga Kuvendi i Serbisë në nëntor të vitit 1990, për të u larguar nga puna edhe i gjithë stafi administrativ i Gjykatës Komunale në Malishevë”, ka deklaruar Kastrati.

Besim Kelmendi, ish-ushtruesi i detyrës se Kryeprokurorit të shtetit në një intervistë për Betimi për Drejtësi, i pyetur se pse pas kohës kur ishte suprimuar autonomia e Kosovës dhe shqiptarët ishin larguar me dhunë prej institucioneve edhe pjesa tjetër janë dorëheqe, pse kishte pranuar të punonte nga vitet 89 deri në 99, Kelmendi ka thënë se nuk ishte dëshira e tij.
“Por nuk ishte dëshira e ime. Thjesht nuk ishte dëshira ime me vazhdu. Ishte shumë më e lehtë. Unë kisha krejt familjen jashtë edhe sot e kësaj dite i kam kanë biznese shumë të fuqishme dhe mushja me shku me ndejt rehat dhe mos me u marrë fare me këtë punë, por konsideroja që po i kontribuoj çështjes kombëtare”, është shprehur Kelmendi.
Gjithashtu, i pyetur se cilat kanë qenë urat e bashkëpunimit me ish-regjimit për të qëndruar në punë kur shumica e kishin lenë apo larguar dhunshëm, Kelmendi është shprehur se ishte qëndrim i punëtoreve shqiptarë.
“Ju thashë që qëndrimet e subjekteve politike të Këshillit për mbrojtjen e lirive të Drejtave të Njeriut që neve na u kanë mbartë përmes njerëzve që kanë qenë atëherë, udhëheqës të këtyre sidomos të Këshillit për mbrojtjen e lirive dhe të drejta të njeriut. Ishte qëndrimi që jo vetëm punëtorët shqiptarë me mbet në punë e me vazhdu punën por edhe gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë me apliku në Kuvendin e Serbisë bashkë në këtë periudhë për të cilën po flisni ju”, tha Kelmendi në këtë interviste.
Sipas tij, aplikimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë ishin masive në kuvendin e Serbisë sepse interesi sipas vlerësimeve të asaj kohe ishte që në gjykatën jo vetëm Gjykatën e Qarkut të gjitha gjykatat me pas sa më shumë gjyqtarë shqiptarë, prokurorë shqiptarë dhe punëtorë shqiptarë.
“Kjo ka qenë arsyeja pse unë kam mbetur në punë dhe kam vazhduar punën”, ka shtuar ai.









