Prokuroria Themelore e Gjakovës e ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Malishevë.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publikë, se më datë 28 janar 2026 ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Malishevës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Meqenëse në datën e lartë cekur nuk ishte siguruar prezenca e një (1) kryesuesi të komisionit, sot më datë 2 shkurt 2026 është siguruar prezenca e tij për intervistim. Pas veprimeve procedurale, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij prej 48 orësh”, thuhet tutje në njoftim.
Prokuroria Themelore e Gjakovës thotë se ndaj këtij personi është paraqitur kërkesa për “caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, për shkak të veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.









