Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico, pasi komunikimet e tij me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein, u bënë publike.
Kryeministri Fico njoftoi se do ta pranonte dorëheqjen e Lajçakut, ndërsa kritikoi kundërshtarët e tij, të cilët, sipas tij, nuk i kishte parë “me kaq shumë hipokrizi” për një kohë të gjatë.
“Miro e ka dëshmuar edhe një herë veten si një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë, megjithëse të gjithë ne, jo vetëm unë, po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme. Është e çuditshme që një simbiozë e ngjashme e medias, opozitës dhe partive qeveritare nuk e shënjestroi liderin e opozitës Simecek, i cili, përmes mashtrimit me grante në nivelin e Sllovakisë dhe BE-së, përfaqëson një rrezik shumë më të madh për reputacionin e vendit tonë sesa këshilltari i kryeministrit, Miroslav Lajçak”, ka thënë Fico në një deklaratë, transmeton gazeta Dnevnik N.
Dokumente të reja gjyqësore në lidhje me Jeffrey Epsteinin u publikuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten, dhe midis tyre është komunikimi i Lajçakun.
Ky është grupi më i madh i dokumenteve rreth Epsteinin të publikuara deri më tani, i cili përfshin rreth tre milionë faqe, 180 mijë fotografi dhe 2 mijë regjistrime video.
Epstein, një milioner i njohur për lidhjet e tij me figura të shumta me ndikim dhe të famshme, vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste padinë federale për trafikim qeniesh njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual. Vdekja e tij u shpall si vetëvrasje.










