Pas sigurimit të rinovimit të kontratës së Mike Maignan, drejtuesit e Milanit do të jenë shumë aktiv këto ditë të fundit të mbetur nga afati i merkatos dimërore, e cila mbyllet më datën 2 shkurt.
Përveç bisedimeve me Crystal Palace për transferimin e Jean-Philippe Mateta, pasi vetë sulmuesi ka rënë dakord, Milan mund të bëjë edhe një lëvizje të fundit në repartin e mbrojtjes.
Fabrizio Romano, Calciomercato.com, Sky Sport Italia dhe shumë burime të tjera, bëjnë me dije se qendërmbrojtësi i Chelsea-t, Axel Disasi ka kërkuar nga drejtuesit e klubit të tij të refuzojnë West Ham dhe Fiorentinën, pasi francezi dëshiron vetëm transferimin te Milan.
Chelsea pagoi 45 milionë euro për të blerë francezin nga AS Monaco në verën e vitit 2023, por ai nuk ka luajtur fare për skuadrën e parë këtë sezon, pasi nuk bënte pjesë në projektin e ish-trajnerit Enzo Maresca. Po ashtu, edhe trajneri aktual i “Bluve”, Liam Rosenior nuk e sheh 27-vjeçarin si pjesë e projektit të tij.
Këto ditë pritet të ketë bisedime të shumta mes palëve, opsioni më i mundshëm është huazimi me të drejtë blerje në fund të sezonit.
The post Futbollisti i Chelsea-t refuzon West Ham, do transferimin vetëm te Milan appeared first on Telesport.










