Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), dënon ashpër kërcënimin serioz që kanë marrë në Gjykatën e Gjilanit, dega në Viti ekipet e mediave online, Nacionale dhe Betimi për Drejtësi.
Gazetarja dhe kameramani i Nacionales, Eriola Cacaj dhe Drilon Namani si dhe gazetari i “Betimi për Drejtësi”, Flamur Kabashi janë kanosur brenda sallës së gjyqit, në përfundim të një seance për kontest pronësor.
Sipas dëshmisë së gazetarëve, kërcënimi ka ardhur nga pjesëtari i njërës prej familjeve në kontest, i cili e ka bërë gjestin “e prerjes së kokës”, në drejtim të tyre.
Ekipet e gazetarëve e kanë njoftuar gjykatësen e rastit dhe e kanë paraqitur rastin në Polici.
AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë kërcënim serioz, dhe u bën thirrje Gjykatave dhe Policisë së Kosovës, që të kujdesen për sigurinë e gazetarëve në kohën që ata kryejnë punën e tyre profesionale të raportimit.
AGK-ja e fton Policinë për punë të shpejtë hetimore për të adresuar kërcënimin, dhe Gjykatën për zhvillim të rastit për këtë kanosje.










