MF-ja shtyn afatin për tatimin në pronë për vitin 2026

Ministria e Financave e ka shtyrë afatin për tatimin në pronë për vitin 2026. Sipas vendimi, afati për lëshimin e faturave është deri më 31 mars, kurse për pagesën e këstit të parë deri më 30 qershor.

Ministria ka arsyetuar se e vlerëson të domosdoshme shtyrjen e afatit për lëshimin e faturave të tatimit në pronë për vitin tatimor 2026.
Në vendim thuhet se masa është marrë në zbatim të nenit 14 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, sipas të cilit regjistrat e tatimit në pronë bazohen në regjistrin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

“Gjatë procesit të përditësimit të këtyre regjistrave, janë konstatuar ndryshime në kufijtë e zonave kadastrale, të cilat prekin dy apo më shumë komuna. Këto ndryshime, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka vërejtur me vonesë, gjë që ka shkaktuar pamundësimin e përkohshëm të reflektimit të saktë të të dhënave grafike dhe tekstuale kadastrale në regjistrat e tatimit në pronë”, thuhet në vendim.

MF-ja ka arsyetuar tutje se ky veprim është ndërmarrë për të shmangur lëshimin e faturave të tatimit në pronë me vlerësim tatimor në shpërputhje me të dhënat kadastrale.