PDK akuzon Kurtin për mashtrim të qytetarëve, kërkon përfshirjen e Prokurorisë

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Rama ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për mashtrim dhe propagandë me kinse prodhimin e dronëve ushtarakë në një fabrikë në Gjilan.

Kabashi-Rama tha se Kurti e ka përdorur çështjen e ndjeshme të sigurisë kombëtare për propagandë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Ajo tha se ka dyshime serioze se fabrika e dronëve ushtarakë në Gjilan nuk përfaqëson prodhim real të tyre, por një mashtrim përmes videove të rreme.

“Siguria kombëtare në asnjë formë nuk guxon të jetë mashtrim ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse siguria kombëtare ka të bëjë me jetën e njerëzve tanë”, tha Kabashi-Rama.

“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht përmes vizitës atë të cilën e paraqiti si fabrikë të prodhimit të dronëve ushtarakë në Gjilan, duke lënë të nënkuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri dhe mbrojtje. Kjo u paraqit si sukses shtetëror”, u shpreh ajo. “Ditëve të fundit, nga hulumtimet dhe raportimet serioze mediatike, kemi të ngritura dyshime të forta dhe të faktuara se pamjet promovuese nuk përfaqësojnë prodhimin real në Kosovë”.

Kandidatja për deputete ftoi Prokurorinë e Shtetit që të ndërhyjë për verifikimin e këtij mashtrimi publik.

“Prandaj, kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz të deklarimeve të rreme në një sektor jetik për shtetin tonë, atë të mbrojtjes. Situata të ngjashme nga ish-kryeministri kemi parë edhe me fabrikën e municionit, por asnjë qytetar nuk ka parë plane të qarta, partneritet industrial të certifikuar, standarde të sigurisë dhe cilësisë, apo afate të besueshme dhe të verifikueshme. Asnjë industri e mbrojtjes nuk ndërtohet me fjalë, aq më pak industria e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës”, theksoi ajo.

Ajo tha se siguria e Kosovë nuk është pronë e asnjë qeverie dhe asnjë kryeministri.