Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar lidhur me zhvillimet efundit në parti.
Ai ka theksuar se ka shmangur qëllimisht përfshirjen në debate publike mbi rezultatin zgjedhor, dorëheqjet apo emrat konkretë që duhet të udhëheqin LDK-në, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike dhe zgjidhet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.
Mustafa ka paralajmëruar se debatet e bazuara në tifozllëk dhe presion publik e deformojnë demokracinë e brendshme dhe rrezikojnë ta shndërrojnë Kuvendin e LDK-së në arenë përçarjesh.
“Miq të nderuar. Kam shumë kërkesa nga media të ndryshme të deklarohem për rrjedhat aktuale në LDK. Jam munduar të mos involvohem me opinione për çështje të rezultatit zgjedhor, në debate për dorëheqje apo se kush duhet të jetë e kush të mos jetë në krye të LDK-së, duke konsideruar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike, nuk është çështje e testimit dhe liçencimit. Se kjo zgjidhet në organet vendimmarrëse të LDK-së; jo në deklarimet e ndonjë dege, të ndonjë simpatizanti, josimpatizanti apo të ndonjë debutueseje boshe se kush duhet të shkojë e kush jo nga LDK. Në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve”, shkruan ai.
Ai ka theksuar se LDK nuk meriton “epitafe” dhe se ata që e duan duhet të besojnë në potencialin dhe forcën e saj vetërregulluese për t’u ringritur si subjekt i fortë politik, me rol kyç në balancën demokratike të shtetit të Kosovës.
“LDK nuk meriton epitafe. Ata që e duan duhet ta duan me besim të plotë se LDK ka potencial, ka forcë vetërregulluese dhe mund të ringritet si subjekt i fortë politik, i cili siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës. Duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm; se përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë”.
Duke folur për Kuvendin e LDK-së, Mustafa ka thënë se ai duhet të rikonfirmojë identitetin e LDK-së si parti e qendrës së djathtë, me orientim të palëkundur euroatlantik, të ndërtuar mbi parimet e themelimit të saj 36 vjet më parë.
“Kuvendi si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës do duhej të sigurojë se LDK nuk është parti as e vjetër as e re por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vite më parë me aktin themelues të saj si parti konzervatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik. LDK ka nevojë të rikonfirmojë se beteja e saj politike nuk është ankand se kush jap më shumë por ofertë se si ndërtohet një shtet perspektiv, i fortë dhe i qëndrueshëm. Se LDK nuk mund të përdoret si platformë mbi të cilën do të ndërtohet diçka tjetër duke e shfrytëzuar emrin e saj”.
Mustafa ka nënvizuar se reformat në LDK duhet të udhëhiqen nga njerëz besnikë ndaj partisë, të hapur për prurje të reja, pa ndarje mes të vjetërve dhe të rinjve.
“Reformat në LDK i bëjnë njerëzit të cilët i kanë qëndruar besnik LDK-së, të hapur për ardhjet dhe ardhje të reja dhe njerëz të rinj. LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues. Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë. Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së, për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt!”, shkruan Mustafa.










