Shifra shkatërruese për Mbappé në Champions, francezi në gjurmët e më të mëdhenjve

Edhe në mbrëmjen e hidhur të Lisbonës, Kylian Mbappé la gjurmë. Pavarësisht humbjes së Real Madridit ndaj Benfica (4-2), sulmuesi francez shënoi një dopietë, duke e çuar totalin e tij në 13 gola në fazën e ligës së Champions-it. Një shifër rekord absolut, e ndihmuar edhe nga formati i ri me 8 ndeshje për skuadër.

Rruga e tij finalizuese ka qenë mbresëlënëse: dopietë ndaj OM, tripletë kundër Kairat Almaty, 4 gola ndaj Olympiacos, 2 kundër Monaco dhe dopieta e Lisbonës. Një vazhdimësi që e bëri kryegolashënues të fazës së ligës, me 5 gola më shumë se Harry Kane. Mbappé ka kaluar edhe Cristiano Ronaldon më të mirë në fazën e grupeve (11 gola në 2015/16), ndërsa Messi, Lewandowski dhe Haller kishin arritur 10 gola.

Në raport me minutat, rekordi ndryshon: Lewandowski kryeson me 10 gola në 437 minuta (2019/20). Në total, Mbappé ka 68 gola në 94 ndeshje në Champions me Monaco, PSG dhe Real Madridi, më mirë se CR7 në të njëjtin numër paraqitjesh. Kujdes edhe nga Erling Haaland; 56 gola në 56 ndeshje europiane.

 

The post Shifra shkatërruese për Mbappé në Champions, francezi në gjurmët e më të mëdhenjve appeared first on Telesport.