Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, bërë homazhe në nderim të dëshmorëve të, të rënë më 27, 28 dhe 29 janar 1999, në Rogovë të Hasit, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet një nga themelet e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Haradinaj vlerësoi lart kontributin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, në përpjekje për të siguruar armatim për bashkëluftëtarët e tyre, dhanë jetën në njërën nga betejat më të rënda të luftës çlirimtare. Ai tha se shumë prej tyre i kishte njohur personalisht dhe kishte luftuar përkrah tyre në frontet e luftës.
Në këtë përvjetor përkujtimor, ai përmendi me respekt të thellë dëshmorët Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli.
Po ashtu, Haradinaj përkujtoi edhe flijimin e banorëve të Rogovës që ranë duke ndihmuar luftëtarët e plagosur: Rrustem Morina me djemtë e tij Selmanin, Muhametin dhe Nusretin, si dhe Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala.
Në nderim të veprës së tyre heroike, kryetari i AAK-së bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve në Kodrën e Kuqe në Klinë dhe mori pjesë në rivendosjen e pllakës përkujtimore të dëshmorit Ilir Merturi.
“Sakrifica e tyre ishte goditje e madhe, por nuk u thyem. E vazhduam luftën duke jetësuar amanetin e tyre, dhe sot ata prehen në paqe në Kosovën e lirë,” u shpreh Haradinaj, duke falënderuar dëshmorët dhe familjet e tyre për shërbimin ndaj Atdheut.









