Prokuroria Themelore në Prizren njofton se po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve, në Prizren për manipulime me vota.
Siç thuhet në komunikatë, hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve, në Prizren. Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njftoim.
Tutje, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore.
Për dallavere me votat e kandidatëve për deputetë, javën e shkuar janë intervistuar 109 persona në Prizren ndërsa 23 prej tyre janë në paraburgim.










