AUV nis asgjësimin e produktit APTAMIL AR 2, largohen nga tregu 212 pako

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se do të asgjësojë produktin ushqimor APTAMIL AR 2 – 400 gram, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pas njoftimit të pranuar nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).

Sipas AUV-së, situata është nën kontroll të plotë dhe institucionet përkatëse janë duke vepruar me përgjegjësi maksimale, ndërsa veprimet janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informacionit nga RASFF.

“Nga momenti i njoftimit e deri më sot, nga tregu janë tërhequr 212 pako të produktit APTAMIL AR 2 – 400 g, me datë skadimi 02.01.2027, të cilat, sipas AUV-së, “do të asgjësohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

AUV njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnje “APTAMIL AR 2″

Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me gjurmueshmërinë e shpërndarjes së produktit APTAMIL AR 2 dhe me tërheqjen e tij nga tregu, deri në eliminimin e plotë të produktit nga qarkullimi.

Në komunikatë theksohet se, pavarësisht mungesës së theksuar të inspektorëve, AUV garanton se “mekanizmat e sigurisë ushqimore janë funksionalë dhe se shëndeti i konsumatorëve mbetet prioritet absolut i Agjencisë”.

Në fund, AUV riafirmon përkushtimin e saj në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, me qëllim ruajtjen e besimit të qytetarëve, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.