Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji për 15 kryekomisionerët e ndaluar për manipulim me vota në Malishevë.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 15 (pesëmbëdhjetë) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftimin e themelores.
Të mërkurën janë intervistuar gjithsej 58 (pesëdhjetë e tetë) persona, prej të cilëve 15 (pesëmbëdhjetë) kryesues dhe 43 (dyzet e tre) komisionerë.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.
Ndërkaq, pas grumbullimit të provave relevante, intervistimit të tyre, 43 (dyzet e tre) komisionerët do të hetohen në procedurë të rregullt, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.









