Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ia ka zbutur dënimin nga 20 në 17 vjet burgim të akuzuarit Orges Zhugolli për vrasjen në Gllmanik të Podujevës shkaku i një konflikti në komunikacion.
Sipas aktakuzës, Orges Zhugolli ngarkohet se më 12 shtator 2023 në Gllamnik të Podujevës, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 qershor 2025, e kishte dënuar të akuzuarin Zhugolli me 20 vjet burgim.
Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve esenciale nga neni 369 par.10, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënim. Propozoi që i akuzuari të shpallet fajtor për veprën që është liruar dhe ndaj tij të shqiptohet dënim më i lartë me burgim.
Kurse, nbrojtësi i të akuzuarit Zhugolli, avokati Naim Rudari, ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimi mbi sanksionin penal. Ai i propozoi Apelit propozoi që aktgjykimi i Themelores të anulohet dhe të kthehet në rivendosje, duke dhënë udhëzimet konkrete se çka duhet të veprohet në
fazën e rigjykimit.
Kurse, prokurori i Apelit më parashtresë i ka propozuar Apelit që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë, kurse ankesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar.
Seanca e kolegjit të gjyqtarëve të Apelit, ku ishin elaboruar ankesat e palëve, ishte mbajtur më 2 tetor 2025.
Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për faktin se ai vendim përmban arsye lidhur me veprat penale për të cilat është akuzuar Zhugolli, dhe se ky arsyetim është i qartë, i kuptueshëm dhe nuk është kundërthënës me vetveten e as me arsyetimin.
Po ashtu, Apeli konstaton se në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë të gjitha arsyet për çdo pikë të aktgjykimit.
Provat, sipas Apelit, janë vlerësuar në mënyrë të duhur dhe se pretendim i mbrojtjes se aktgjykimi mbështetet në prova të papranueshme, nuk qëndron për faktin se deklarimet e dëshmitarëve janë administruar në gjykim së bashku me provat materiale.
Nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor, sipas Apelit, konkretisht nga video-incizimi, vërtetohet fakti se i akuzuari kishte me vete mjet të rrezikshëm, ndërsa tani i ndjeri nuk ka pasur thikë apo mjet të rrezikshëm me vete, dhe se tani i ndjeri nuk kishte marrë veprim aktiv në drejtim të të akuzuarit para goditjes.
Ndërsa pretendimi se veprimit të të akuzuarit i ka paraprirë ngacmimi nga ana e tani të ndjerit dhe e dëshmitarëve, në vlerësim të rrethanave, rezulton të jetë i pabazuar dhe i paargumentuar.
Pretendimi tjetër për plotësim të autopsisë, Apeli vlerëson se është i pabazuar pasi që nga raporti i autopsisë është konstatuar se vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e shokut hemorragjik i cili është shkaktuar nga plaga therëse në kraharor, ku vdekja e të ndjerit sipas mendimit të mjekut është me karakter vrasës.
“Pretendimet e mbrojtësit se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkeljen e ligjit penal, për shkak se ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësin penale, janë pretendime të pa bazuara, për arsye se nga prova e administruara është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor, se për këtë vepër penale i njëjti është penalisht përgjegjës, si dhe nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale apo përgjegjësinë penale të akuzuarit në këtë drejtim”, thuhet në vendim.
Lidhur me lartësinë e dënimit, sipas Apelit, duhet të zbutet me arsyetimin se ndër të tjera, rasti ka ndodh pa planifikim por ka ndodhur shkaku i mosmarrëveshjes në komunikacion, se viktima me të akuzuarin nuk njihshin më parë, dhe se mes familjes së të ndjerit dhe të akuzuarit ka pajtim që të mos ndiqet hakmarrja.
Në seancën e 27 majit 2025, Zhugolli u shpall fajtor për veprën penale të “Vrasjes”, ndërsa u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, për shkak se nuk është provuar se ka kryer veprën penale. Më pas, më 4 qershor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin ndaj Orges Zhugollit, duke e dënuar me 20 vjet burgim.
Ndërkaq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.










