MPB ka publikuar kriteret për leje qëndrimi të përhershëm

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në kuadër të vazhdimit të fushatës informuese për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Menaxhimin e Automjeteve, ka publikuar kriteret për lëshimin e lejes për qëndrim të përhershëm, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Kosovë.

Kjo fushatë informuese, siç kanë shpjeguar më herët përfaqësuesit e institucioneve, do të zgjasë deri më 15 mars, pas së cilës do të fillojë zbatimi praktik i ligjit, transmeton Paparaci.

KRITERET PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

Leja e qëndrimit të përhershëm

Për të përmbushur kushtet për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm, personi duhet të ketë pesë (5) vjet qëndrim të përkohshëm të pandërprerë në Kosovë, përveç rasteve të lejes së qëndrimit të përhershëm për ribashkim familjar përmes martesës ose bashkëjetesës, ku kërkohet qëndrimi i pandërprerë prej 3 vjetësh;

Të miturit me qëndrim të përkohshëm në Kosovë lejohen të marrin leje qëndrimi të përhershëm nëse njëri nga prindërit është i huaj me leje qëndrimi të përhershëm, me pëlqimin e prindit tjetër.

Është e nevojshme të kenë njohuri elementare të njërës nga gjuhët zyrtare, si dhe, siç theksohet, të njohin kulturën dhe rendin shoqëror të Kosovës, gjë që dëshmohet përmes një testi me shkrim, të organizuar nga MPB.

Megjithatë, theksohet se njohja e gjuhës nuk kërkohet për fëmijët e moshës parashkollore; për personat që kanë përfunduar arsimin fillor, të mesëm ose të lartë në Kosovë; për personat mbi moshën 65 vjeç nëse nuk janë të punësuar; si dhe për të huajt, gjuha amtare e të cilëve është njëra nga dy gjuhët zyrtare.

DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

Për të realizuar të drejtën për leje qëndrimi të përhershëm, qytetarët, përkatësisht të huajt, duhet të kenë:

Dokument udhëtimi të vlefshëm;

Dëshmi se nuk janë dënuar në Kosovë;

Dëshmi për lidhjen e martesës;

Dëshmi për mjete financiare për jetesë;

Sigurim shëndetësor;

Dëshmi për strehim të siguruar.

DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM ME LIRIM NGA SHTETËSIA E RKS-së

Dokument udhëtimi i vlefshëm;

Dëshmi se nuk është nën hetime, e lëshuar nga organi kompetent i shtetit, shtetas i të cilit është i huaji ose i shtetit të vendbanimit të fundit, e përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare;

Vendim për lirimin nga shtetësia e Kosovës.

DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR VAZHDIMIN E KARTELES SË LEJES SË QËNDRIMIT TË PËRHERSHËM

Pasaportë e vlefshme;

Dëshmi se nuk është dënuar nga gjykata në Republikën e Kosovës;

Sigurim shëndetësor;

Vërtetim për adresën e vendbanimit.

TAKSAT PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

Për qëllime pune: 100 euro

Për ribashkim familjar: 70 euro

Lirim nga shtetësia: 50 euro

Për humbje, dëmtim ose ri pajisje: 10 euro./Paparaci.com