Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Alexandar Botsan-Kharchenko sot e ka takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për rrethanat aktuale ndërkombëtare dhe çështjet me rëndësi për marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, transmeton Paparaci.
Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua sektorit të energjisë, si dhe zgjidhjeve të mundshme në lidhje me Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), pretendohet në njoftim.
“Do të vazhdojmë të punojmë për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji dhe aranzhimeve të qëndrueshme që mbrojnë interesat e Serbisë dhe të qytetarëve tanë, përmes dialogut dhe respektimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe rrethanave të ndërlikuara ndërkombëtare”, ka shkruar Vuçiqi në postimin e tij në Instagram.
Ai ka pretenduar se “Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut të hapur, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe kombëtare, si dhe ruajtjes së stabilitetit”./Paparaci.com










