Malisheva rezulton të jetë në mesin e komunave me më së shumti ndryshime në votat e kandidatëve për deputetë, pas përfundimit të procesit të rinumërimit.
Me 100 për qind të votave të rinumëruara në këtë komunë, rezulton se mijëra vota janë falsifikuar në procesin e numërimit dhe verifikimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë.
Rinumërimi ka zbuluar se të gjitha listat e subjekteve politike kryesore janë prekur nga shtimi ose heqja e votave.
Kandidati me më së shumti vota të shtuara pas rinumërimit është Gazmend Maliqaj nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilit rezultojnë t’i jenë shtuar 927 vota, tregojnë rezultatet e rinumërimit të votave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Pas tij renditet kolegu partiak Fetah Paçarizi, të cilit i janë shtuar 728 vota, ndërsa Adnan Thaçit – po ashtu pjesë e listës së PDK-së – i janë shtuar 703 vota.
Gëzim Hazrollit, ish-gjeneralit të luftës, pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës figuron t’i jenë shtuar 340 vota.
As lista e Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pësuar pa ndryshime nga rezultatet e kandidatëve për deputetë në Malishevë, me ish-kandidatin për kryetar të kësaj komune Valon Hotin që rezultojnë t’i jenë shtuar 312 vota, ndërsa kandidatit Gani Krasniqi nga e njëjta parti, i janë shtuar 271 vota.
264 vota më pak sesa që i kishte prezantuar KQZ-ja pas numërimit dhe verifikimit të votave javë më parë, i figurojnë Vesel Krasniqit nga Nisma Socialdemokrate.
Mbi dyshimet për falsifikim të rezultateve të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka kryer një operacion të madh policor të mërkurën.
Rreth 50 individë janë arrestuar, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të rendit.
Të arrestuarit dyshohet se mbanin funksione në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë janë shoqëruar në stacionin policor. /Paparaci.com










