“Dora e Spalletit te Juventusi është e dukshme, Yildiz po i afrohet Del Pieros”

Juventusi përballet sonte me një transfertë të vështirë në Champions League ndaj Monaco, në stadiumin “Louis II”, pas fitores 3-0 në kampionat kundër Napolit. Pikërisht për atë sukses foli Vladimir Jugoviç, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”:

“Antonio kishte shumë mungesa, por Juventusi dominoi, argëtoi dhe fitoi, e vetmja gjë që ka rëndësi kur vesh atë fanellë. Dora e Spalletit është e dukshme. Trajnerët toskanë i sjellin fat Juventusit…; Lippi ka fituar gjithçka, Allegri pothuajse. Marcello ishte njeriu shtesë i suksesit tonë në Champions para 30 vitesh. Ai dhe Sacchi janë më të mirët në histori”.

Një rol kyç në këtë skuadër ka Kenan Yildiz. Krahasimi me Alessandro Del Pieron, sipas Jugoviç, nuk është i rëndë: “Ale është Ale, por ky djaloshi turk po i afrohet, ka cilësi të mëdha, goditje dhe shpirt juventin. Yildiz duhet të jetë kampioni rreth të cilit të ndërtohet sërish një skuadër fituese”. Për ndeshjen e sotme, Jugoviç shtoi: “Vë bast për Thuram. Khephren ka diçka nga braziliani Sokrates”.

 

The post “Dora e Spalletit te Juventusi është e dukshme, Yildiz po i afrohet Del Pieros” appeared first on Telesport.