KE ndan 171 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, Kosova mbetet jashtë

Komisioni Evropian ka ndarë 171 milionë euro për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor, me fokus në zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat. Megjithatë, Kosova nuk do të përfitojë asnjë cent nga këto fonde.

Sipas zëdhënësit të KE-së, Guillaume Mercier, Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. BE-ja shpreson që kjo çështje të zgjidhet së shpejti.

Nga fondet e ndara, 94.7 milionë euro janë për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për sektorin privat dhe 2.9 milionë euro për asistencë teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë. Projektet përfshijnë investime në digjitalizim, energji të pastër, transport, arsim dhe mbrojtje të mjedisit në disa vende të rajonit.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se këto investime janë thelbësore për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe për krijimin e mundësive konkrete për qytetarët.