Ndihmat financiare të njëhershme të shpërndara nga Qeveria e Kosovës, përfshirë pagesat prej 100 eurosh për studentë dhe kategori të tjera, vihen në pikëpyetje për efektin e tyre afatgjatë.
Sipas Visar Ymerit, drejtor i Institutit “Musine Kokalari”, këto masa nuk adresojnë problemet strukturore të mirëqenies sociale, i tha ai Radios Evropa e Lirë.
“Shtesat e njëhershme mund ta lehtësojnë një moment krize, por nuk e ndryshojnë realisht pozitën ekonomike të familjeve”, thotë ai.
Ymeri thekson se politikat sociale duhet të kenë qasje transformuese dhe të targetojnë më mirë familjet në nevojë.
“Ne nuk e dimë nëse këto transfere financiare e kanë ulur varfërinë”, vëren ai. Sipas tij, “pyetja nuk është nëse duhet të ketë ndihma, por çfarë modeli të mirëqenies duam të ndërtojmë”.









