Sundimi i ligjit e formimi i institucioneve në fokus të takimit të Kurtit me ambasadorin britanik dhe atë suedez

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar të hënën një takim të përbashkët me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves dhe atë të Suedisë, Jonas Westerlund.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim janë diskutuar çështje aktuale politike, përmbyllja e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit dhe hapat drejt formimit të institucioneve të reja.

Po ashtu, thuhet se palët kanë biseduar për prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe për forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

“Në takim kryeministri theksoi përkushtimin ndaj sundimit të ligjit gjithandej Kosovës pa diskriminim e privilegje për të gjithë qytetarët dhe komunitetet”, thuhet në njoftim.

Ai thuhet se ka vënë në pah edhe rëndësinë e rritjes së vazhdueshme ekonomike, progresit shoqëror dhe avancimit demokratik të vendit, si dhe angazhimin për paqe e siguri me rend publik dhe kufij të mbrojtur dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.