Lista Serbe reagoi ndaj ftesës së Nenad Rashiqit që të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen aktivisht në hartimin e propozimeve juridiko-teknike për të lehtësuar zbatimin e dispozitave të parashikuara nga Ligji për menaxhimin e automjeteve dhe Ligji për të huajt, duke i porositur se ai “nuk është i denjë” për bisedë me këtë parti.
“Nuk kemi harruar se Rashiqi ka mbështetur që serbëve t’u merrej toka në Leposaviq dhe Zubin Potok, nuk u është kundërvënë përpjekjeve që serbët të shpalleshin gjenocidalë, as që kurrë nuk ka ndihmuar asnjë familje anëtarët e së cilës janë burgosur pa bazë! Si i tillë, ai kurrë nuk do të jetë i denjë për bisedë me Listën Serbe”, pretendohet në reagimin e Listës Serbe ndaj ftesës së Rashiqit, transmeton Paparaci.
Lista Serbe veprimin e tij e konsideron “hipokrit dhe politikisht të pasinqertë”, duke theksuar se ai “nuk ka legjitimitet dhe mbështetjen e komunitetit serb”, si dhe duke e akuzuar se “voton për të gjitha masat që janë drejtpërdrejt të drejtuara kundër serbëve”.
Lista Serbe thekson se Nenad Rashiqi “kurrë nuk e ka ngritur zërin” për shkak të mbylljes së institucioneve serbe, “dhunës institucionale, arrestimeve dhe përndjekjes së bashkëkombësve. Përkundrazi, gjatë gjithë kësaj kohe ka luajtur rolin e një maskote politike, vëzhguesi të heshtur dhe shërbëtori të pushtetit që në mënyrë sistematike rrezikon të drejtat e popullit serb”.
Nga kjo parti thonë se prej muajsh kanë tentuar të gjejnë zgjidhje për, siç i quajnë ata, “ligjet e dëmshme”, përfshirë Ligjin për të huajt dhe vendimet për automjetet.
“Lista Serbe për këto çështje ka mbajtur dhjetëra takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe pikërisht falë këtyre përpjekjeve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ka arritur të sigurojë shtyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve deri në gjetjen e zgjidhjeve konkrete dhe të qëndrueshme”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu, shtojnë se me iniciativën e tyre, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë marrë vendim për të formuar një ekip të posaçëm ekspertësh që merret me zgjidhjen e problemeve.
“Me sjelljen e tij, Nenad Rashiqi edhe një herë ka treguar se serbët dhe problemet e tyre nuk e interesojnë. Si njeri që me votat e shqiptarëve ia ka vjedhur mandatin popullit serb dhe postin e ministrit, ai ka qenë dhe ka mbetur një shërbëtor i zakonshëm i regjimit të Albin Kurtit. Me një njeri të tillë Lista Serbe nuk dëshiron dhe nuk do të ketë asnjë kontakt, sepse kjo do të nënkuptonte tradhti ndaj 43.000 serbëve që, pavarësisht të gjitha presioneve dhe fushatës së “mentorit të Rashiqit”, ia dhanë votën e tyre Listës Serbe”, shkruan në reagimin e kësaj partie./Paparaci.com









