Mbyllet për qarkullim rruga Ferizaj-Gjilan në fshatin Sojevë

Rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan në fshatin Sojevë është mbyllur për qarkullim për shkak të vërshimit të trasesë së saj pas reshjeve të mbrëmshme të shiut.

Kështu ka njoftuar të martën Policia Rajonale e Ferizajt.

“Njoftohen qytetarët se aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë, për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë, është i mbyllur për qarkullim”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai ka bërë të ditur se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.

Policia ka rekomanduar kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shtuara dhe kushteve të vështirësuara atmosferike.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.