Osmani: Avancimi i Aktit për Luginën, mesazh i qartë kundër diskriminimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar rreth avancimit të Aktit të Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Ajo tha se është mesazh i qartë se diskriminimi sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi nuk do të mbetet i padukshëm.

“Serbia ka kryer vazhdimisht shkelje autoritare të të drejtave të pakicave, duke përfshirë fushatën e qëllimshme të pasivizimit për spastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Osmani ka përgëzuar kongresistin amerikan Keith Self për prezantimin dhe mbështetjen e këtij akti, si dhe kryetarin e komitetit Brian Mast dhe anëtarin kryesor Gregory Meeks për udhëheqjen, ndërsa ka falënderuar edhe të gjithë deputetët që votuan pro me mbështetje dypartiake.

Të mërkurën mbrëma, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë miratuar një rezolutë, e cila shtyn përpara projektligjin, i cili kërkon nga sekretari i Shtetit që të merret me trajtimin e pakicave në Serbi, veçanërisht shqiptarët.