Challandes, para ndeshjeve me Malin e Zi dhe Bullgarinë: Nuk ua kemi frikën, do të fitojmë

Challandes beson se Kosova mund të marrë rezultate të mira në ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë.

Kosova dëshiron të shkruajë historinë, duke u kualifikuar në “Euro 2020”.

“Dardanët” tashmë kanë nisur kualifikimet për Evropian, me barazimin 1-1 me Bullgarinë në “Fadil Vokrri”.

Por, nëse dështojnë përmes kualifikimeve, Kosova ka edhe një mundësi tjetër të artë. Pas triumfit në Nations League, “Dardanët” janë kualifikuar në gjysmëfinale, çka do të thotë se “Euro 2020” është vetëm dy ndeshje larg.

Challandes ka ndërtuar një skuadër të fortë, që nuk di për humbje që nga viti 2017. Si gjithmonë, ai nuk ka folur për numrin e pikëve që do të marrë Kosova në ndeshjet e ardhshme, duke treguar synimin e vetëm – që është fitorja.

Barazimi 2-2 me Danimarkën dhe 1-1 me Bullgarinë, jep sinjale se Kosova dalëngadalë po ngritët në nivele të larta.

“Kualifikimi? Asnjë herë nuk kam menduar se mund t’i bëjmë 10 pikë, apo 8 pikë. Nuk e di sa na duhen për t’u kualifikuar, por duhet vetëm të fitojmë. Për mua vetëm një gjë është me rëndësi, mënyra si do fitojmë. Duhet të luajmë me mënyrën tonë. I respektoj kundërshtarët, por nuk i kam frikë”, tha Challandes.

“Ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë nuk janë vendimtare, por një mundësi e mirë për të përparuar”.

“E rëndësishme është të luajmë me filozofinë tonë, të bëjmë mirë. Nuk flas për pikë dhe rezultate para ndeshjeve, ato janë ekipe të forta. Është mundësi për të treguar se çfarë mund të bëjmë. Nuk kemi presion aspak”, shtoi ai.

Në dy ndeshjet e muajit qershor, Kosova do t’i luajë kundër Malit të Zi, më 7 qershor në Podgoricë dhe kundër Bullgarisë, më 10 qershor në Sofje.