Joseph: Bordi i Paqes i Trumpit mund të riparojë raportet mes Kosovës dhe SHBA-së

Pezullimi i Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së në shtator të vitit 2025 ka ngritur pikëpyetje për marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit, por anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump shihet si hap i rëndësishëm për riparimin e tyre.

Kështu vlerëson profesori amerikan Edward Joseph në një intervistë pë Kallxo, i cili thekson se pozicioni strategjik i Kosovës në arenën ndërkombëtare, përballë izolimit të vazhdueshëm nga Serbia dhe mbështetjes që Beogradi gëzon nga Rusia dhe Kina, e obligon Prishtinën të forcojë raportet me aleatin e saj kryesor, Shtetet e Bashkuara.

Sipas Josephit, anëtarësimi në Bordin e Paqes përbën një sinjal të qartë të afrimit të Kosovës me Administratën Trump, veçanërisht duke pasur parasysh se Serbia nuk është pjesë e këtij mekanizmi, ndërsa Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria janë anëtare.

Ai vlerëson se për Kosovën, Shqipërinë dhe Bullgarinë është e rëndësishme forcimi i marrëdhënieve me administratën aktuale amerikane, duke shtuar se edhe vende të tjera të rajonit duhet ta konsiderojnë anëtarësimin.

Joseph shpreh bindjen se Serbia nuk ka gjasa t’i bashkohet Bordit të Paqes, pasi e sheh atë si një konkurrencë ndaj OKB-së, të cilën Beogradi e konsideron instrument kyç për izolimin ndërkombëtar të Kosovës.

Bordi i Paqes, i themeluar më 22 janar në Davos, përfshin liderë të rreth 20 vendeve, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Turqinë dhe Arabinë Saudite. Ai fillimisht është fokusuar në Gazë, por nuk përjashtohet zgjerimi i mandatit edhe në raste të tjera, përfshirë dialogun Kosovë–Serbi.

Megjithatë, disa vende perëndimore, përfshirë Francën, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë refuzuar t’i bashkohen Bordit, duke shprehur rezerva ligjore dhe politike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se anëtarësimi në Bordin e Paqes do të dërgohet për ratifikim në Kuvend, duke theksuar se ky hap forcon sovranitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.