Bajrami “sulmon” kolegët për kontrollim të vendimeve të saj, vjen reagimi i Prokurorisë së Apelit

Prokuroria e Apelit i ka cilësuar të pavërteta dhe të dëmshme pretendimet e prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Elza Bajrami, kundër kolegëve të saj në Apel.

Bajrami, zëvendësprokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i ka akuzuar të shtunën kolegët e saj në Prokurorinë e Apelit për “tendencë të kontrollimit të vendimeve të saj me qëllim njollosjen e punës dhe profesionalizmit” të së njëjtës.

Prokuroria e Apelit, në një reagim për media të hënën, ka thënë se deklarimet e Bajramit paraqesin “vetëm të pavërteta”.

“Prokuroria e Apelit, vlerëson se deklarimet e prokurores Bajrami, ku aludohet se Prokuroria e Apelit, ‘me tendencë ka kontrolluar vendimet e saj me qëllim që t’ia njollosë punën dhe profesionalizmin, për të pamundësuar kandidimin e saj si antare në Këshillin Prokurorial të Kosovës’, janë jo vetëm të pavërteta, por përbëjnë tentim për të krijuar perceptim të rremë publik mbi punën profesionale dhe të pavarur të prokurorëve të Prokurorisë së Apelit”, ka thënë Apeli në reagim.

“Po ashtu, përdorimi i një gjuhe të papërshtatshme, ndaj kolegëve gjegjësishtë prokurorëve të Prokurorisë së shkallë e dytë, përbën sjellje të papranueshme për një prokurore të shtetit”, thuhet në reagim.

Sipas Prokurorisë së Apelit, çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë e Apelit në debate të brendshme të KPK-së, “dëmton integritetin e sistemit prokurorial dhe ulë besimin e publikut”.