Digjet makina e kompanisë “Euro Ndërtimi” që rrënoi objektet pa leje në Mitrovicë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci ka thënë se kompanisë që ishte përgjegjëse për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje i është djegur një bager.

Peci ka thënë se “nuk po rrënon bageri, po rrënon kryetari Faton Peci”.

Ai e ka dënuar aktin, duke theksuar se është veprim kriminal që përbën kërcënim direkt për të gjithë ata që angazhohen që Mitrovica të jetë qytetet ku mbretëron rendi dhe qetësia publike.

“Nuk po rrënon bageri, po rrënon kryetari Faton Peci. Te dashur qytetarë, mbrëmë gjatë orëve të vona të natës, kompanisë që ishte përgjegjëse për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje i është djegur një mekanizëm/bager. E dënoj ashpër këtë akt makabër e qyqar. Ky veprim kriminal përbën kërcënim direkt për të gjithë ata që angazhohen që Mitrovica të jetë qytet ku mbretëron rendi dhe qetësia publike”, ka shkruar Peci.

Megjithatë, ai ka deklaruar se pavarësisht kërcënimeve, ata nuk frikësohen dhe do ta vazhdojnë siç thotë ai luftën ndaj paligjshmërisë.

“Por, të gjithë ata që me akte të tilla kriminale e kërcënuese mendojnë se na frikësojnë e kanë gabim. Lufta jonë ndaj paligjshmërisë, kriminalitetit e parregullësisë nuk do të ndalet. Në anën tjetër, organeve të rendit ju bëj thirrje të intesifikojnë veprimet e tyre për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit. E për të gjithë ata me këtë logjikë dua t’i siguroj se paqe me krimin nuk do të ketë asnjëherë, askund në Mitrovicë, as në jug as në veri”, ka shkruar Peci.