Koktej molotovi, gaz lotsjellës e topa uji, situatë e tensionuar në Tiranë

Partia Demokratike në Shqipëria ka zhvilluar protestë ditën e sotme përpara Kryeministrisë.

Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar nga qytetarët që sot “t’i bëjnë gjyqin kryeministrit”, duke marrë pjesë në protestën e thirrur në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Pak orë para protestës, Berisha u ka bërë thirrje të rinjve që të “ngrihen në lartësinë e këtij misioni”.

“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve.”-shkruan Berisha.

Përmes protestës PD kërkon largimin e Edi Ramës, ndërsa detajet e këtij tubimi po mbahen ende diskrete.

Policia e Tiranës ndërkohë ka merr masa, duke nxjerrë në terren 1300 forca policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë politike. Kryeministria nga ana tjetër ka fortifikuar dyert dhe është e rrethuar. Pritet të ketë prezencë dhe të zjarrfikësve dhe ambulancës sipas protokollit.

Pak minuta para nisjes së protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha shkoi në seli dhe nga aty, u nis me simpatizantët e tij drejt Kryeministrisë.

Protesta e opozitës, Berisha në podium: U ngritëm nga hiri si feniksi, plagosëm për vdekje bishën narko-diktaturë

Sali Berisha u ngjit në podiumin e vendosur përpara Kryeministrisë në protestën e dytë kombëtare nga opozita.

“Sot ne jemi në kilometrin e fundit me ndihmën e Zotit, asgjë s’do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket shumë larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë vitet e fundit, ka qenë maratonë jo e lehtë. Një karvan maratonë e mbushur me dhunën e narko-shtetit. Por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vite të një përballje të egër”, tha ndër të tjera Berisha.