Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është gjetur shtetasi i Shqipërisë, 30-vjeçar, i cili ishte larguar nga një vilë në Jezerc të Ferizajt dhe nuk dihej vendndodhja e tij.
Policia ka njoftuar se ai kishte shkaktuar një aksident në Jezerc.
“Sipas informatave fillestare, rreth orës 05:00 kishte marrë një veturë BMW me targa shqiptare dhe ishte nisur në drejtim të Ferizajt, ku dyshohej se kishte shkaktuar një aksident trafiku në fshatin Jezercë”, thuhej në njoftimin e policisë.
“Në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale, janë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonën përreth. Po ashtu, janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK – Prishtinë, si dhe në disa ordinanca private, mirëpo nuk ishte raportuar asnjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren”, ka sqaruar policia.
Lidhur me rastin, janë njoftuar dhe angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës, si dhe Brigada e Zjarrëfikësve, të cilat janë vënë në kërkim të personit të zhdukur.
“Ndërsa, sot më datë 23.01.2026, rreth orës 15:30, një qytetar ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj, duke njoftuar se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur “Gurra e Kadisë””, ka bërë të ditur PK-ja.
Pas verifikimeve, është konstatuar se bëhej fjalë për personin, S.P, i cili ishte në kërkim dhe menjëherë është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, falënderon Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë të rajonit të Ferizajt dhe qytetarët të angazhuar në këtë rast dhe në veçanti qytetarin B.Osmani., 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.










