Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka njoftuar se gjatë intervistimit një prej komisionerëve të ndaluar për falsifikim të rezultatit zgjedhor ka vendosur të bashkëpunojë me prokurorinë.
Siç ka bërë të ditur Kryeziu, i njëjti do të ndihmojë në zbulimin e skemës së manipulimit të votave, ku del të ketë edhe marrje-dhënie të ryshfetit.
“Me vetiniciativë kemi ndërmarrë veprime sepse shihej haptazi që keqpërdorimet ishin duke ndodhur ndërsa pjesa që ka të bëj me dhënie e marrje të ryshfetit është zbuluar sot kur njëri nga komisionerët ka vendosur që të bashkëpunojë me prokurorinë dhe ata që janë edhe të akuzuar mund të marrin cilësinë e dëshmitarëve bashkëpunues”, tha Kryeziu në konferencën për media të premten.
109 vendime për ndalim 48 orësh janë lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në lidhje me manipulimet me vota në rajonin e Prizrenit. Të njëjët janë të dyshuar për falsifikim të rezultatit zgjedhor, kanosje dhe marrje ryshfeti.










