Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu në konferencën për media ka bërë të ditur se ka pasur përpjekje të drejtpërdrejtë për ta përmbytur rezultatin e zgjedhjeve me manipulimin e madh të votave në Prizren.
Ai ka thënë se janë manipuluar 68 mijë e 17 vota dhe ka treguar edhe mënyrën.
“Vetëm një klasë ka dalë e pakeqpërdorur. Për ta pasur më të qartë, po flasim për Prizren, janë shtuar 40 mijë e 497 vota dhe janë hequr 27 mijë e 520 vota. Pra diferenca totale është 68 mijë e 17 vota. Po flasim për organizim, po flasim për dashje direkte për ta përmbytur rezultatin dhe vullnetin e qytetarëve”, ka thënë kryeprokurori Kryeziu.
Ai ka thënë se kishte koordinim mes komisionerëve të partive për këtë manipulim të votave.
“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin gjithë këto vota po të mos kishte kompromis mes komisionerëve, sepse sistemi është i tillë që komisionarët janë mekanizëm kontrollues dhe procesverbalin e nënshkruajnë të gjithë për ta legjitimuar”, ka thënë Kryeziu.
Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar 109 të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “falsifikimi i rezultateve të votimit”, “kanosje” dhe “dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë katër prokurorë dhe rreth 200 zyrtarë policorë.
“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhej në një njoftim.
Ndërkaq, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të qartë se kandidatët për deputet të përfshirë në manipulimin e votave në Prizren do të ftohen për intervistim në Prokurori.










