Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu tha se katër subjektet më të mëdha politike janë të përfshira në dyshimet për manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë.
Në një konferencë për media të premten, Kryeziu tha se të gjithë të dyshuarit për manipulim të rezultatit zgjedhor, sot “janë ballafaquar me forcën e ligjit”.
“Sot, secili prej atyre që ka guxuar t’i fusë duart në vullnetin e qytetarëve, është ballafaquar me forcën e Ligjit”, tha Kryeziu.
Kryeziu sqaroi se manipulimet kanë ndodhur me rezultatet e kandidatëve për deputetë.
“Nuk bëhet fjalë për manipulimin e votave të subjekteve politike, por për manipulime brenda llojit”, tha Kryeziu. “Katër subjektet më të mëdha politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe kanë menduar se larg syve të Prokurorisë dhe Policisë mund të manipulojnë dhe mund të ia dalin pa të keqe”.
Sipas Kryeziut, mijëra vota të kandidatëve për deputet dyshohet se janë manipuluar vetëm në Komunën e Prizrenit.
Ai tha se ka mbi 40 mijë vota të shtuara ndaj kandidatëve, ndërsa rreth 27 mijë vota të hequra.
“Vetëm në një vendvotim numri i votave të manipuluara ka shkuar 2,244 vota”, tha ai.
Kryeziu tha se vetëm në një klasë të një vendvotimi ka rezultuar të mos ketë pasur dyshime për keqpërdorimin e rezultateve të kandidatëve për deputet.









