Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar se në qendrat korrektuese ka hapësira të lira akomodimi për mbi 100 të arrestuarit në një aksion të gjerë të Prokurorisë së Prizrenit të premten.
Shërbimi i burgjeve tha se ndonëse në qendrat e saj aktualisht po mbahen 1 mijë e 758 të burgosur, kapacitetet “ekzistuese lejojnë akomodimin e rasteve të reja”.
Sipas këtij institucioni, në dispozicion janë rreth 800 shtretër të lirë.
“Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë”, thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thekson se ky sqarim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit.
“Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës”, thotë SHKK.
Mbi 100 persona u arrestuan mëngjesin e së premtes në Prizren si të dyshuar për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.









