Shpërthimi i Mohamed Salah më 6 dhjetor kishte tronditur “Anfield”. Pas mbetjes në stol kundër Leeds, egjiptiani u shpreh hapur; i zhgënjyer dhe i bindur se ishte bërë “kokë turku” për rezultatet e dobëta të Liverpool-it. Fjalë shumë të forta, që lanë të kuptohej se e ardhmja e tij te “Reds” nuk ishte më e sigurt.
Më pas situata u qetësua gradualisht. Kupa e Afrikës shërbeu si “frymëmarrje”, ndërsa pas rikthimit, Arne Slot e aktivizoi titullar kundër Marseille. Por në fushë pamja ishte tjetër. Salah, “shkatërrues” në të kaluarën, ende nuk është rishfaqur në top-formë. Në Angli perceptimi është i qartë; sot “fytyra symbol” e Liverpool-it është Dominik Szoboszlai.
Në moshën 33-vjeçare, pas rinovimit të minutës së fundit sezonin e kaluar, Salah duket më pak vendimtar dhe më pak i integruar me afrimet e reja si Wirtz dhe Frimpong. Kjo ka hapur dyshime edhe te drejtuesit. Në këtë kontekst rikthehet fuqishëm pista e Arabisë Saudite.
Sipas “Daily Telegraph”, klubet e “Saudi Pro League” janë gati të rikthehen në sulm, sidomos nëse largohen yje si Mané, Fabinho dhe Benzema. Salah mbetet prioritet absolut. Një shitje që do t’i sillte fitim Liverpool-it dhe kontratë stratosferike financiare lojtarit, me verën si moment vendimtar.
The post Salah titullar, por jo më “ylli polar” i Liverpool-it. Rihapet pista e Arabisë Saudite appeared first on Telesport.










